Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Stoltenberg: Perëndimi nuk po kërkon sërish Luftë të Ftohtë


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Perëndimi nuk është duke kërkuar për nisjen e një Lufte të Ftohtë apo garë armësh me Rusinë, mirëpo ai ka ripërsëritur se aleanca ushtarake do t’i mbrojë “të gjithë aleatët kundër çdo kërcënimi”.

“Ne nuk duam Luftë të Ftohtë sërish”, u ka thënë Stoltenberg gazetarëve derisa ka prezantuar raportin vjetor të NATO-s.

“Dhe nuk duam të përfshihemi në një luftë të re armësh. Është e shtrenjtë, e rrezikshme dhe në interesin e askujt”.

“Mirëpo nuk duhet të ketë dyshim. NATO-ja do të mbrojë të gjitha aleatët ndaj çdo kërcënimi”, ka shtuar ai.

Komentet e tij kanë ardhur në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Perëndimit dhe Rusisë edhe pas dyshimeve se Moska është mbrapa sulmit me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani të Madhe.

Britania ka thënë se materia e përdorur në tentim vrasjen e Skripal është pjesë e agjentëve nervorë të zhvilluar nga ushtria sovjetike të njohur si Noviçok.

Liderët e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kanë nisur sot një deklaratë duke thënë se fajësimi i Rusisë për helmimin ka qenë “shpjegimi i vetëm i besueshëm”.

Shefi i NATO-s ka thënë se zyrtarët e aleancës janë njoftuar nga liderët e sigurisë në Britani dhe “tani nuk kemi rast për të dyshuar në të dhënat e gjetura nga Mbretëria e Bashkuar”.

Stoltenberg ka thënë se Britania mund të llogarisë në “solidaritetin e NATO-s”, ndonëse ky shtet nuk ka kërkuar që të aktivizohet mbrojtja e përbashkët sipas Artikullit 5, e cila u kërkon të gjithë anëtarëve të ndihmojnë kur ndonjëri nga shtetet sulmohet.

“Të gjithë aleatët pajtohen se sulmi ka qenë shkelje e qartë e normave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Ky akt nuk ka vend në një botë të civilizuar”, ka shtuar ai.

Ai po ashtu ka përmendur “ndërhyrjen” e Rusisë në Malin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor në përpjekje për të “shkatërruar zgjedhjet dhe institucionet demokratike”.

Shefi i NATO-s ka folur edhe për ndërtimin e pajisjeve ushtarake të Moskës.

“Rusia ka modernizuar forcat e armatosura në dekadën e fundit, duke zhvilluar armë të reja, duke përfshirë edhe kapacitete bërthamore”, ka thënë ai.

Stolteneberg ka thënë se aleanca do të vazhdojë të zhvillojë kapacitete të fuqishme të mbrojtjes edhe pse kërkon vazhdimisht për kontroll të sistemit të armëve.

XS
SM
MD
LG