Ndërlidhjet

Trump e uron Putinin për rizgjedhje


Donald Trump dhe Vladimir Putin - foto arkivi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka biseduar në telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, dy ditë pas rizgjedhjes së këtij të fundit në krye të shtetit rus.

Trump tha se e ka uruar Putinin dhe se shpreson se ata do të takohen në "një të ardhme jo të largët" për të diskutuar garën me armë, Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Sirinë.

Kremlini tha përmes një deklarate se, gjatë bisedës, "vëmendje e veçantë i është kushtuar çështjes së një takimi të mundshëm në nivel të lartë".

"Dy liderët kanë biseduar në favor të zhvillimit të bashkëpunimit praktik në fusha të ndryshme, përfshirë sigurimin e stabilitetit strategjik dhe luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. Në veçanti, ata theksuan rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të frenuar garën e armëve", thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Putin, i cili ka qenë herë president, herë kryeministër i Rusisë qysh në vitin 1999, ka fituar mbi 76 përqind të votave në zgjedhjet e së dielës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë kritikuar zgjedhjet, duke thënë se ka pasur mashtrime, presion për të votuar dhe mungesë të "zgjedhjes reale".

XS
SM
MD
LG