Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Katari shton 28 persona dhe subjekte në listën e zezë


Doha, ilustrim

Katari ka njoftuar sot se ka shtuar në listën e zezë edhe 28 persona dhe subjekte, duke përfshirë disa persona me kombësi të këtij shteti që më parë janë vendosur në listë të zezë nga shtetet rivale arabe, të cilat e akuzojnë Dohan për mbështetje të militantëve, transmeton Reuters.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti kanë vënë sanksione diplomatike e tregtare ndaj Katarit në qershor të vitit 2017, duke e akuzuar atë për financim të terrorizmit, ndërhyrje në çështjet e shteteve arabe dhe për bashkëpunim me Iranin rival.

Ky hap i Katarit e vendos këtë shtet në linjë më të afërt me shtete arabe, mirëpo ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i publikimit të listës.

Autoritetet e Katarit nuk kanë pranuar të flasin për këtë gjë.

Katër shtete arabe, të cilat e kanë quajtur veten “Katërshja kundër-terrorit”, kanë në listën e tyre 72 persona dhe organizata, për të cilat kanë thënë se janë të lidhura me Dohan.

Në muajin tetor, Katari ka shtuar në listë 13 militantë të Al-Kaidës dhe Shtetit Isllamik, përmes një vendimi të përbashkët me Shtetet e Bashkuara dhe pesë shtetet tjera të Gjirit Arab, duke përfshirë edhe bojkotuesit.

Shtetet e Bashkuara janë prezente në Katar me një bazë të madh ajrore dhe synojnë t’i japin fund konfliktit diplomatik.

Ndonëse presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar më parë Katarin për financim të terrorizmit, ka qenë po Trump që përmes një bisede telefonike në muajin janar, ka falënderuar udhëheqësin e këtij shteti për luftim të terrorizimit.

XS
SM
MD
LG