Ndërlidhjet

Savchenko njofton se do të hyjë në grevë urie


Nadia Savchenko

Ligjvënësja ukrainase, Nadia Savchenko ka njoftuar se do të hyjë në grevë urie, teksa një gjykatë në Kiev po vendoste nëse ajo do të dërgohet në paraburgim pasi kryeprokurori i qarkut e ka akuzuar atë për komplot të sulmeve terroriste.

Zyrtarët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) e kanë arrestuar Savchenkon në parlament më 22 mars, pasi ligjvënësit ukrainas votuan që t’ia heqin imunitetin nga ndjekja penale dhe autorizuan arrestimin e saj.

Prokurori i Përgjithshëm, Yuriy Lutsenko e ka akuzuar Savchekon se në bashkëpunim me Volodymyr Ruban kanë bërë komplot për të rrëzuar qeverinë, duke “kryer një sulm terrorist në shkallë të gjerë” në Kiev dhe duke vrarë zyrtarët e lartë.

Ruban është arrestuar më herët gjatë muajit mars duke kaluar në territorin e kontrolluar nga qeveria në lindje të Ukrainës dhe pretendohet se gjatë arrestimit atij i janë gjetë numër i madh i armëve dhe municionit.

Prokurori Oleksandr Bannyk i ka kërkuar gjykatës dy muaj paraburgim për Savchenkon, duke shtuar se nëse ajo gjendet fajtore, do të dënohet me burgim të përjetshëm.

Arrestimi i Savchenkos shënon një kthesë dramtike për ish-piloten ushtarake, e cila për një kohë ishte parë si heroinë e Ukrainës, në luftën që ka lënë të vdekur mbi 10,300 persona, që prej se Rusia më 2014 ka mbështetur separatistët në lindje të vendit.

Savchenko thotë se ajo ishte rrëmbyer dhe ishte dërguar në Rusi, ku ka qëndruar për dy vjet në burgim. Ajo ishte liruar në maj të vitit 2016.

Pasi u zgjodh deputete, Savchenko u shndërrua në një kritike të zëshme ndaj qeverisë së presidentit Petro Poroshenko.

XS
SM
MD
LG