Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Rusia kundërshton se ka furnizuar me armë talibanët


Komandanti i NATO-s në Afganistan, John Nicholson, foto nga arkivi

Rusia ka kundërshtuar komentet e komandantit të lartë të NATO-s në Afganistan se ky vend ka mbështetur dhe furnizuar me armë talibanët, transmeton Reuters.

Në një intervistë për BBC-në javën e kaluar, gjenerali John Nicholson ka thënë se Rusia ka vepruar ashtu që të shkatërrojë përpjekjet amerikane në Afganistan, pavarësisht interesit të përbashkët për të luftuar terrorizmin dhe narkotikët, duke dhënë shenja se Moska ka ofruar ndihmë financiare madje edhe armë.

Një deklaratë e ambasadës ruse në Kabul ka hedhur poshtë komentet dhe ka shprehur edhe një herë kundërshtimet e zyrtarëve rusë.

“Edhe një herë, ne insistojmë se deklarata të tilla janë absolutisht të pabaza dhe u bëjmë thirrje zyrtarëve të mos flasim gjëra të pakuptimta”, ka thënë ambasada.

Komandantët amerikanë, duke përfshirë edhe Nicholson kanë thënë në disa raste vitet e fundit, se Rusia mund të ketë furnizuar me armë talibanët, ndonëse asnjë e dhënë nuk është bërë publike deri më tash.

Zyrtarët rusë kanë thënë se ata kanë pasur kontakte të kufizuara me talibanët me qëllim të inkurajimit të bisedimeve për paqe, në mënyrë që të ketë siguri për qytetarët rusë.

Moska ka ofruar ndihmë për të koordinuar negociata për paqe në Afganistan.

Zyrtarët talibanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se grupi ka pasur kontakte të rëndësishme me Moskën prej të paktën vitit 2007, duke shtuar se përfshirja ruse nuk është zgjerur përtej “mbështetjes morale dhe asaj politike”.

XS
SM
MD
LG