Ndërlidhjet

Trump mund të dëbojë diplomatët rusë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të jetë në pragë të marrjes së vendimit për të dëbuar të paktën 20 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus në Britani, kanë raportuar mediat.

CNN dhe Reuters kanë thënë se vendimi mund të merret më 26 mars dhe se ky vendim me gjasë mund të varet nga lëvizjet e aleatëve evropianë, në përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor në qytetin Salisbury të Britanisë.

Ish-spiuni rus, Sergei Skripa dhe vajza e tij Yulia, ishin gjetur pa ndjenja më 4 mars dhe vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.

Zyrtarët britanikë thonë se “ka gjasa të mëdha” që Moska qëndron pas këtij sulmi, qëndrim të cilin e ka shprehur edhe Bashkimi Evropian.

Londra ka dëbuar 23 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe është kundërpërgjigjur duke dëbuar 23 diplomatë britanikë nga Rusia.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se Uashingtoni po e konsideron mundësinë e dëbimit të diplomatëve, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Mbretërisë së Bashkuara në dënimin e veprimeve të Rusisë. Presidenti gjithmonë e konsideron mundësinë për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për veprimet keqdashëse”, ka thënë ai.

Agjencitë e lajmeve kanë cituar më 20 mars një burim në Departamentin amerikan të Shtetit të ketë thënë se Këshilli për Siguri Kombëtare i Trumpit i ka dhënë presidentit një sërë masash që mund të marrë kundrejt Rusisë. Mediat kanë raportuar se Moska pritet që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, nëse SHBA-ja dëbon diplomatët.

Çdo lëvizje e SHBA-së do të ishte në kundërthënie të dëshirës së shprehur të Trumpit për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Javën e kaluar, Trump kishte telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i uruar fitoren në zgjedhje, por gjatë kësaj bisede ai nuk kishte përmendur helmimin në Britani.

XS
SM
MD
LG