Ndërlidhjet

Koalicioni saudit: Irani po furnizon me raketa rebelët huthi në Jemen


Rebelët huthi në Jemen një vit më parë.
Rebelët huthi në Jemen një vit më parë.

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite është duke akuzuar Iranin se po furnizon rebelët huthi me raketa balistike të cilat janë përdorur gjatë vikendit për të sulmuar Riadin.

Duke treguar mbetje, për të cilat forcat saudite kanë thënë se u përkasin raketave të përdoruara, zëdhënësi i koalicionit ka thënë në një konferencë për media në Riad, se analizat forenzike kanë treguar se reblët shiitë janë furnizuar me armë nga aleati i tyre Irani.

“Raketat e nisura kundër territorit saudit janë siguruar nga Irani”, ka thënë zëdhënësi, Turki al-Malki, i cili ka shtuar se raketat kanë pasur cak jo vetëm Riadin por edhe qytetet tjera saudite si, Najran, Jizan dhe Khamis Mushait.

Ne “kemi të drejtë të përgjigjemi kundër Iranit në kohën dhe vendin e duhur”, ka thënë Malki, duke shtuar se përgjigjja do të jetë “e duhur” në mënyrë që të mbrohet mbretëria sipas ligjit ndërkombëtar.

Pentagoni po ashtu ka fajësuar Iranin për sulmet e rebelëve huthi më 26 mars.

“Ky hap shfaq shenja se Irani është duke furnizuar rebelët huthi me armë të avancuara”, ka thënë përmes një deklarate zëdhënësja Rebecca Rebarich.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Uashingtoni do të mbështesë, “të drejtën e sauditëve për të mbrojtur kufijtë e saj kundër këtyre kërcënimeve”.

Pas sulmeve në vikend, Britania i ka bërë thirrje Iranit, “të ndalojë dërgimin e armëve të cilat zgjasin konfliktin, rrisin tensionet rajonale dhe përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Irani nuk është përgjigjur ndaj supozimeve të tilla, mirëpo ka akuzuar Britaninë për hipokrizi, duke iu referuar furnizimit të koalicionit të udhëhequr nga sauditët me disa armë të përdorura në një fushatë bombarduese në Jemen.

“Britania padyshim ka përgjegjësi direkte për krimet e luftës të kryera në tri vitet e fundit në Jemen duke shitur armë dhe duke ofruar mbështetje logjistike te shtetet që kanë sulmuar Jemenin”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghasemi.

“Ky shtet nuk është në pozicion për të akuzuar shtetet e tjera”, ka shtuar tutje ai.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët e mbështet qeverinë e Jemenit me fushatë bombarduese kundër rebelëve huthi, të cilët kanë pushtuar kryeqytetin e Jemenit tri vite më parë dhe vazhdojnë të kontrollojnë portin më të madh të kombit.

Rreth 10,000 jemenë janë vrarë në këtë luftë. Përshkallëzimi i luftës ka shkaktuar atë që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si krizën më të keqe humanitare.

XS
SM
MD
LG