Ndërlidhjet

Mbesa e ish-spiunit rus beson se ai ka pak mundësi për të mbijetuar


Hetuesit britanikë në oborrin e shtëpisë së Skripalit.
Hetuesit britanikë në oborrin e shtëpisë së Skripalit.

Mbesa e ish-spiunit rus, Sergei Skripal ka thënë se ai dhe vajza e tij, Yulia kanë shumë pak mundësi për të mbijetuar pas sulmit me agjent nervor në Britani, i cili është kthyer në incident ndërkombëtar.

Viktoria Skripal i ka thënë shërbimit rus të BBC-së, se mundësitë “vertetë nuk janë të mira”, ndonëse kanë kaluar më shumë se tri javë prej kur të dy i janë ekspozuar atij që Qeveria britanike i është referuar si agjent nervor, Noviçok.

“Nga 99 përqind unë kam ndoshta një përqind shpresë”, i ka thënë BBC-së, Viktoria.

“Çkado që ka qenë, atyre u ka dhënë shumë pak mundësi për të mbijetuar”.

Viktoria ka thënë se ata edhe nëse e tejkalojnë këtë situatë “do të jenë invalidë për gjithë jetën”.

Helmimi i Skripalit dhe vajzës së tij ka shtyrë SHBA-në, disa vende të Bashkimit Evropian dhe NATO-n, që të dëbojnë më shumë se 150 diplomatë rusë nga vendet e tyre.

Sergei Skripal, 66 vjeçar dhe vajza e tij janë gjetur në një stol në Sallsbëri të Britanisë më 4 mars.

Policia britanike ka thënë më 28 mars se beson që ata fillimisht i janë ekspozuar agjentit nervor në derën e shtëpisë së Skripalit, pasi hetuesit kanë gjetur koncentrimin më të madh të substancës në atë vend.

Rusia ka kundërshtuar përfshirjen në helmim, duke thënë se ka mundësi që vetë spiunët britanikë të kenë kryer sulmin.

XS
SM
MD
LG