Ndërlidhjet

Moska kërcënon Maqedoninë për dëbimin e diplomatit rus


Flamuri i Maqedonisë.
Flamuri i Maqedonisë.

Rusia ka kërcënuar Maqedoninë me pasoja nëse anëtarësohet në NATO.

Ky kërcënim ka ardhur nga ambasadori rus në Shkup, Oleg Shcherbak, pas vendimit të autoriteteve maqedonase për dëbimin e një diplomati rus.

"NATO është një instrument i Luftës së Ftohtë dhe si mund t'i mirëpresim përpjekjet e Maqedonisë për t'iu afruar një force kaq agresive. Ju si qytetarë duhet të mendoni se pas hyrjes në NATO do të jeni pjesë e makinerisë së saj dhe një poligon për bazat e saj dhe në rast të një sulmi të Aleancës ndaj Rusisë, do të jeni objektiv i përgjigjjes ruse. Ne nuk ndërhyjmë në vendime por për vendime të tilla duhet të mbahet një referendum ", ka deklaruar ambasadori rus në Shkup, Shcherbak.

Megjithatë ai ka deklaruar se Rusia do t'i përgjigjet Maqedonisë në lidhje me dëbimin e diplomatit të saj, "me një përgjigje të menduar dhe jo të nxituar si ajo e qeverisë maqedonase".

"Mendoj se vendimi i Shkupit ishte marrë nën presion nga jashtë dhe paraqet një detyrë dhe porosi politike për të siguruar pjesëmarrjen e Maqedonisë në masat kolektive të shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s si shenjë e solidaritetit për rastin Skripal", tha Shcherbak.

Ambasadori theksoi se fakti që vendimi është marrë nën ndikimin e jashtëm nuk e largon qeverinë maqedonase nga përgjegjësia.

Diplomati rus tha se ministria e Jashtme e Maqedonisë refuzoi ose nuk donte të siguronte dëshmi se diplomati rus ka shkelur autorizimet diplomatike, që u theksua dy ditë më parë nga kreu i diplomacisë, Nikola Dimitrov.

"Bëhet fjalë për një përpjekje për të marrë informacion të klasifikuar dhe të rëndësishëm për sigurinë e Maqedonisë. Por, ne jemi të detyruar të mbrojmë identitetin e diplomatit dhe do të jetë e dëmshme për të spekuluar. Gjetjet tona mbështeten në prova të forta dhe nuk kemi dilema për këtë, "kishte deklaruar shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov.

XS
SM
MD
LG