Ndërlidhjet

Peskov i cilëson "prostituta" aktoret që janë ankuar për ngacmim seksual


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin i ka cilësuar “prostituta” aktoret që kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht nga producenti hollivudian, Harvey Weinstein, duke thënë se ato është dashur të ngrisin zërin më herët.

Duke folur para studentëve në Universitetin e Moskës më 29 mars, Peskov ka thënë se disa aktore që kanë folur kundër Weinstein janë bërë “yje të Hollivudit” dhe “kanë bërë shumë gjëra që nuk përkojnë me nocionet tona të nderit dhe dinjitetit”.

“Ato kanë fituar qindra miliona dollarë në 10 vitet e fundit dhe thonë se Weinstein është njeri i keq”, ka thënë Peskov, që më parë nuk ka komentuar për pretendimet masive për ngacmime seksuale.

“Ndoshta Weinstein është person i degjeneruar, mirëpo asnjëra nga ato nuk ka shkuar në polici. Jo, sepse ato kanë dashur të fitojnë 10 milionë dollarë, ka thënë Peskov. “Si e quani ju një grua që ka fjetur me një burrë për 10 milionë dollarë?, Ndoshta unë po bëhem i pakëndshëm, mirëpo ajo është prostitutë”.

Më shumë se 50 gra kanë akuzuar Weinstein për ngacmim seksual e deri te dhunimi, duke përfshirë Ashley Judd dhe aktore të tjera me famë botërore.

Peskov i ka bërë këto komente në përgjigje të pyetjes lidhur me akuzat për ngacmim seksual të bëra nga një gazetare për një anëtar të parlamentit rus.

Disa gazetare kanë akuzuar Leonid Slutsky për ngacmim seksual.

Komisioni parlamentar për etikë ka vendosur më 21 mars se Slutsky nuk ka kryer asnjë shkelje të “normave të sjelljes”, duke detyruar rreth 20 media të largojnë gazetaret e tyre nga raportimi prej parlamentit.

XS
SM
MD
LG