Ndërlidhjet

Përleshje vdekjeprurëse midis izraelitëve dhe palestinezëve


Kufiri Izrael - Gaza

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se së paku 12 palestinezë janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në përleshjet me ushtarët izraelitë, përgjatë kufirit Izrael - Rripi i Gazës.

Ministria tha se të plagosurit përfshijnë protestues të qëlluar me plumba të vërtetë dhe me gaz lotsjellës.

Mijëra palestinezë në Rripin e Gazës marshuan të premten drejt kufirit me Izraelin, në ditën e parë të protestës gjashtëjavëshe.

Ushtria izraelite tha se ka pasur "trazira" në gjashtë lokacione dhe se "ka qëlluar drejt nxitësve kryesorë të tyre".

Palestinezët kanë ngritur pesë kampe pranë kufirit, për protestën e tyre "Marshimi i Madh i Kthimit".

Ata kërkojnë që refugjatët të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre që tani janë në Izrael.

Protesta është thirrur nga grupi islamik palestinez Hamas, i cili udhëheq me Rripin e Gazës.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 1.3 milion nga 2 milionë banorë të Gazës janë refugjatë ose pasardhës të refugjatëve.

XS
SM
MD
LG