Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Turqia paralajmëron Francën që të mos dërgojë trupa në Siri


Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Nurettin Canikli

Turqia ka paralajmëruar sot Francën se nëse rritë prezencën ushtarake në Siri do të konsiderohej “pushtim”, teksa tensionet mes Parisit dhe Ankarasë vazhdojnë të jenë të larta.

Tensionet mes dy shteteve u rritën, pasi të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron ishte takuar me delegacionin e Forcave Demokratike Siriane, që përbëhen nga luftëtarë kurdë dhe arabë.

Më pas, zyrtarët kurdë kishin deklaruar se Franca po planifikon që të dërgojë trupa shtesë në Manbixh - një qytet në veri të Sirisë që është nën kontrollin e milicisë kurde - pretendim të cilin, Parisi zyrtar e hedh poshtë, transmeton AFP.

“Nëse Franca ndërmerr hapa, sa i përket prezencës ushtarake në veri të Sirisë, ato do të ishin hapa të jashtëligjshëm dhe do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Në fakt, do të ishte pushtim”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Nurettin Canikli.

“Veçanërisht nëse ka ndërmend të mbështesë grupe me elemente terroriste, ose në formë indirekte t’u japë atyre mbrojtje me forca të armatosura, do të ishte hap shumë i keq”, ka thënë tutje ai.

Turqia ka dërguar trupa në Siri dhe ka nisur një operacion kundër milicisë Njësia për Mbrojtjen e Popullit (YPG) në Afrin.

Presidenti turk, Recep Tayyip Edogan vazhdimisht ka paralajmëruar se Turqia do ta zgjerojë ofensivën e saj edhe në Manbixh, që gjendet në lindje të Afrinit.

Por, zyra e Maconit ka thënë se Parisi nuk planifikon të nisë operacion të ri ushtarak në terren.

Ankaraja e konsideon YPG-në si organizatë terroriste, pasi thotë se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK).

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, por edhe Franca mbështesin YPG-në në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

XS
SM
MD
LG