Ndërlidhjet

Gjykim për të arrestuarit në Kukës nën masa të shtuara të sigurisë


Tiranë
Tiranë

Në Gjykatën e Tiranës sot po mbahet gjyqi për shqiptimin e masave të sigurisë për 23 të arrestuarit, pjesëmarrës në protestat në Rrugën e Kombit, ku u është vënë zjarri sporteleve të pagesës së tarifës prej 5 eurosh për makina.

Policia e Shqipërisë ka marrë masa të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen normale të seancës, duke bllokuar tërësisht rrugët, derisa dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të opozitës janë mbledhur përballë Gjykatës, në anën tjetër të Lumit Lana, duke kërkuar lirimin e të burgosurve.

Gjykimi po mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave.

Bëhet e ditur se brenda në sallë janë familjarë të të arrestuarve dhe vetëm disa deputetë të partive opozitare.

Megjithatë, mediat vendore raportojnë se Prokuroria ka lexuar kërkesën për 23 të arrestuarit, ku mësohet se ka kërkuar dënim me burg për 11 prej tyre, 5 arreste shtëpie, ndërsa për 7 të tjerët detyrim paraqitjeje.

Opozita e bashkuar shqiptare ka kaluar në mosbindje civile, duke thirrur protesta për të enjten. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të bllokojnë rrugët dhe të mos e paguajnë taksën rrugore prej 5 eurosh.

Opozita gjithashtu ka paralajmëruar protesta derisa kjo taksë të largohet, por edhe ka thënë se nuk ka tërheqje deri në rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Të shtunën, qindra protestues janë përplasur me Policinë e Shqipërisë pranë sporteleve ku duhet të bëhet pagesa për taksën rrugore në Rrugën e Kombit në Kalimash dhe kanë shkatërruar tërësisht pikën e ndalesës ku duhet bërë pagesa. Ata, një ditë më vonë, janë arrestuar nga policia për shkatërrim të pronës publike.

XS
SM
MD
LG