Ndërlidhjet

McMaster kërkon masa më të fuqishme kundër "provokimeve" ruse


H.R. McMaster

Këshilltari në largim për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster, bëri thirrje për masa më të fuqishme kundër "kërcënimeve" dhe "provokimeve" të Rusisë, duke thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, gabon kur mendon se Perëndimi nuk do t'i përgjigjet "luftës hibride" të Kremlinit.

Këto komente janë ndër më të fuqishmet kundër Rusisë, të bëra nga McMaster, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë javën e ardhshme.

"Për kohë të gjatë, disa vende i kanë shikuar në mënyrë tjetër këto kërcënime. Rusia, pafytyrësisht, i mohon veprimet e saj dhe ne kemi dështuar të vëmë kosto të mjaftueshme", tha McMaster në një fjalim në Këshillin Atlantik në Uashington.

McMaster tha se Rusia përdor ekonominë, politikën dhe mjetet kibernetike për të dëmtuar kundërshtarët, por insistoi se Moska nuk do të mbizotërojë përballë Perëndimit.

Ai po ashtu përmendi helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, në Sallsbëri të Anglisë. Britania dhe disa vende të tjera kanë fajësuar Moskën për këtë sulm, ndonëse shteti rus e ka mohuar përfshirjen.

"Zoti Putin mund të besojë se ai po e fiton këtë formë të re të luftës. Ai mund të besojë se veprimet e tij agresive në Sallsbëri, në fushën kibernetike, në ajër dhe në det të hapur mund të minojnë besimin tonë, institucionet dhe vlerat tona. Ai ndoshta beson se vendet tona janë të dobëta dhe nuk do t'iu përgjigjen provokimeve të tij. Ai gabon", tha McMaster.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka larguar McMasterin nga detyra, duke e zëvendësuar atë me ish-të dërguarin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, John Bolton.

XS
SM
MD
LG