Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Dhjetëra të vrarë në një sulm të dyshuar kimik në Duma të Sirisë


Siri, foto nga arkivi

Të paktën 70 persona kanë vdekur pas një sulmi të dyshuar kimik në qytetin sirian Duma, që gjendet në enklavën e Gutas Lindore, kanë thënë organizatat mjekësore dhe ekipet vullnetare të shpëtimit.

Ekipi vullnetar i shpëtimit “Helmetat e Bardha” kanë publikuar imazhe të viktimave. Ky grup thotë se numri i viktimave mund të rritet, transmeton BBC.

Qeveria siriane i ka quajtur pretendimet për sulm kimik si “fabrikim”.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë janë duke monituar nga afër raportimet “shqetësuese” për mundësinë e përdorimit të armëve kimike nga forcat e qeverisë siriane dhe Rusia, duke shtuar se ata do të mbahen përgjegjës nëse vërtetohet se janë kryer sulme me armë kimike.

“Historiku i qeverisë siriane në përdorimin e armëve kimike ndaj popullit të vet, nuk vihet në diskutim”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Neurte.

“Rusia, me mbështetjen e saj të palëkundur për regjimin, në fund të fundit mban përgjegjësi për sulmet ndaj sirianëve me armë kimike”.

“Duke mbrojtur Sirinë, Rusia ka shkelur obligimet e saj ndaj Kombeve të Bashkuara”.

Neurte ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj mbështetjeje të pamatur dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare që të parandalojë sulme të tjera me armë kimike”.

Media shtetërore siriane ka mohuar raportimet se forcat qeveritare kanë kryer sulme kimike dhe ka thënë se rebelët në Duma po përhapim lajme të rreme.

XS
SM
MD
LG