Ndërlidhjet

Thaçi: Do t’i përgjigjemi çdo kërcënimi të Serbisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kosova po ballafaqohet me kërcënime nga Beogradi por përgjigja e saj do të jetë ashtu siç ishte edhe më parë, tha Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një tubimi përkujtimor në Koshare pa dhënë detaje të tjera.

Komentet e Thaçit vijnë pas tensioneve të reja mes dy vendeve, pasi Policia e Kosovës arrestoi shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili u fut ilegalisht në Kosovë në fund të muajit mars.

“Edhe sot Kosova dhe rajoni ballafaqohen me sfida. Kosova nganjëherë po ballafaqohet edhe me kërcënime të drejtpërdrejta të Beogradit. Por edhe sot nga Kosharja, përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë. Çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi siç ju kemi përgjigjur edhe më herët për largimin e çdo pretendimi kërcënues nga Serbia dhe kushdo”, deklaroi presidenti Thaçi.

Deklaratat e presidentit Thaçi pasojnë ato të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i cili tha se sulmeve ndaj serbëve në Kosovë do t’iu kishte përgjigjur me demonstrim të forcës.

Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vulin, tha se Serbia ka filluar bisedimet për furnizim me pajisje të reja armatimi nga Rusia.

Vulin tha se flitet për katër helikopterë transportues Mi-17 dhe katër helikopterë lufte Mi-35.

Furnizimin me armatim, Vulin e arsyetoi me faktin se një Serbi e armatosur është garantuese e paqes në Ballkan.

XS
SM
MD
LG