Ndërlidhjet

Inspektorët e armëve kimike nuk vizituan Dumën as të mërkurën


Duma, Siri

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu, tha se është ende e paqartë se kur ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë mund të vizitojë qytetin Duma të Sirisë, për të hetuar një sulm të dyshuar kimik atje.

Ai i bëri këto komente të mërkurën, pas raporteve për të shtëna dhe shpërthime në Duma.

Shtetet perëndimore kanë akuzuar Qeverinë e Sirisë për kryerjen e sulmit të dyshuar kimik më 7 prill.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se 43 njerëz kanë humbur jetën në këtë sulm.

Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë bombarduar disa lokacione të Qeverisë siriane më 14 prill.

Fuqitë perëndimore po ashtu kanë thënë se Qeveria në Damask dhe aleatja e saj, Rusia, mund të shtyjnë vizitën e ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë, për të zhdukur provat.

Damasku dhe Moska thonë se incidenti i 7 prillit ka qenë i fabrikuar.

Uzumcu tha se ekipi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i cili ka arritur në Damask qysh në fundjavë, nuk do të vizitojë Dumën derisa të vlerësohet se situata është e sigurt.

Ai po ashtu kërkoi që inspektorët të kenë "qasje të papenguar në lokacion".

XS
SM
MD
LG