Ndërlidhjet

Qindra deputetë evropianë kërkojnë mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen me Iranin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Qindra ligjvënës nga Gjermania, Franca dhe Britania u bënë thirrje homologëve të tyre në Kongresin amerikan, që të mbështesin marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, duke e cilësuar atë si "përparim të madh diplomatik".

Thirrja vjen pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur 12 majin si afat për përmirësimin e marrëveshjes - në të kundërtën, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga ajo.

Më marrëveshjen e vitit 2015, Irani është pajtuar që të kufizojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

"Kemi arritur të bëjmë një ekzaminim të paparë të programit bërthamor të Iranit, të shkatërrojmë shumicën e objekteve të tij për pasurim të uraniumit dhe të zvogëlojmë në mënyrë drastike rrezikun e një gare me armë bërthamore", thuhet në deklaratën e nënshkruar nga rreth 500 ligjvënës nga parlamentet kombëtare të Gjermanisë, Britanisë dhe Francës.

Këto tri vende janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.

Trump ka akuzuar Teheranin për shkelje të "frymës së marrëveshjes" dhe ka thënë se ai përdor programin e tij të raketave balistike për të vazhduar zhvillimin e armëve bërthamore.

Trump ka kërkuar nga fuqitë evropiane t'i përmirësojnë, siç ka thënë ai, të metat e tmerrshme të marrëveshjes.

Irani ka thënë se nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshja, edhe ai do të tërhiqet.

XS
SM
MD
LG