Ndërlidhjet

Nicholson: Paqja në Afganistan, interes i përbashkët i Perëndimit dhe Rusisë


gjenerali amerikan John Nicholson, foto nga arkivi.
gjenerali amerikan John Nicholson, foto nga arkivi.

Perëndimi dhe Rusia kanë interes të përbashkët për arritjen e stabilitetit në Afganistan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, gjenerali amerikan John Nicholson.

“Ne së bashku kemi interes të përbashkët për të luftuar terroristët që kërcënojnë shtetin tonë, Rusinë dhe Azinë Qendrore”, ka thënë Nicholson në margjina të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

“Ne kemi interes të përbashkët në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik, kemi interes të përbashkët që të luftojmë narkotikët derisa synojmë paqe dhe stabilitet në Afganistan”, ka thënë Nicholson.

“Ajo që shpresojmë të bëjmë është të punojmë me Rusinë dhe të gjitha kombet në rajon për të arritur rezultat në Afganistan”.

I pyetur për deklaratën e tij dhënë BBC-së muajin e kaluar, rreth asaj se Rusia është duke mbështetur dhe furnizuar talibanët me armë, Nicholson ka thënë se një mbështetje e tillë është e “shkallës së vogël” dhe e vështirë për t’iu qasur me saktësi të plotë.

Pavarësisht pezullimit të ndihmës amerikane në Pakistan, për shkak të dështimit të kësaj të fundit për të shkatërruar rrjetet terroriste që operojnë atje, Shtetet e Bashkuara shpresojnë se “mund të punojnë me Pakistanin për të arritur paqe në Afganistan” dhe vazhdojnë të kenë “komunikim të vazhdueshëm” me Islamabadin, ka thënë gjenerali amerikan.

“Ka qenë shumë inkurajuese kur kemi parë kryeministrin pakistanez, Shaid Khaqan Abbasi në vizitë në Kabul pasi ky ka qenë takimi i dytë në mes të presidentit afgan, Ashraf Ghani dhe kryeministrit Abbasi, kështu që ne kemi shpresa se do të bashkëpunojmë me Pakistanin rreth paqes”, ka shtuar ndër të tjera ai.

XS
SM
MD
LG