Ndërlidhjet

Pashinian, i vetmi kandidat për kryeministër të Armenisë


Nikol Pashinian

Lideri i protestave në Armeni, Nikol Pashinian është nominuar zyrtarisht për postin e kryeministrit, vetëm një ditë para se Parlamenti të zgjedh kreun e ri të Qeverisë, pas dorëheqjes së Serzh Sarkisian nga ky post.

Afati i fundit për kandidim për këtë post ka skaduar në orën 18 sipas kohës lokale dhe Pashinian edhe zyrtarisht është kandidati i vetëm për kreyministër.

Pashinian, që ka fituar mbështetjen e të gjitha fraksioneve opozitare, është nominuar sot nga partia Yelk, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, ligjvënësi Ararat Mirzoian.

Nominimi i Pashinian për postin e kryeministrit, vjen disa ditë pasi mijëra persona, që protestuan në rrugët e Jerevanit, kërkuan nga partia në pushtet, Partia Republikane që të transferojë pushtetin te Pashiniani, duke e zgjedhur atë kryeministër më 1 maj.

Pashinian, gjatë një tubimi më 29 prill, u kishte thënë protestuesve se ka “shumë gjasa se disa anëtarë” të Partisë Republikane “do të votojnë për kandidatin e popullit” për kryeministër.

Aleanca Yelk e Pashinianit ka 9 ulëse në Parlament. Prandaj, Pashinianit i duhet mbështetje e të paktën gjashtë anëtarëve të Partisë Republike që të zgjidhet kryeministër.

Pashinian ka udhëhequr protestat në Armeni, që zgjatën për disa javë, që çuan në dorëheqjen e Serzh Sarkisian nga posti i kryeministrit.

XS
SM
MD
LG