Ndërlidhjet

Wieland: Mos premtoni data për liberalizimin e vizave


Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland u ka rekomanduar përfaqësuesve politikë në Prishtinë që të mos premtojnë datën se kur do të liberalizohen vizat, dhe i ka inkurajuar të vazhdojnë të angazhohen në përmbushjen e kritereve evropiane.

Këto komente, Reiner Wieland i ka bërë në Prishtinë, ku ai ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, përfaqësues tjerë shtetërorë të Kosovës dhe ata të opozitës.

“Iu rekomandoj të gjithëve që të mos bëjnë premtime, siç është rasti me liberalizimin e vizave”, tha Wieland.

“Aktualisht topi është në anën e Komisionit dhe Këshillit dhe jo Parlamentit Evropian”, tha Wieland, eurodeputet gjerman.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe të integrimeve euroatlantike.

“Qytetarët tanë meritojnë të jenë të barabartë dhe të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe ne po presim që sa më shpejtë të marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave”, theksoi Haradinaj.

Në këtë takim, sipas një komunikate për media, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se “Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne pret mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces”.

Më tej Haradinaj, theksoi edhe rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke i forcuar marrëdhëniet bilaterale me këtë vend.

“Kosova është partneri ideal i Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi resurset e nevojshme, të përshtatshme për investitorët gjerman dhe tani është koha që të shohim projekte konkrete në këtë drejtim”, shtoi Haradinaj.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, sipas komunikatës, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e bashkëpunimit për projekte specifike nga fusha e edukimit në programet e BE-së dhe Qeverisë Gjermane, duke shprehur mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe përafrimin e vendit me agjendën evropiane.

Wieland ka zhvilluar një takim edhe me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG