Ndërlidhjet

Kryeministri Haradinaj takon Papa Françeskun


Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit me Papa Françeskun

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës dyditore në Vatikan, është pritur në audiencën e mbyllur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Sipas një komunikate për media të dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Haradinaj ka njoftuar Atin e Shenjtë Papa Françeskun për zhvillimet politike në Kosovë, rrugën evropiane dhe euroatlantike.

“Kosova është shembull i tolerancës fetare dhe i promovimit të paqes. Rruga jonë euro-atlantike fuqizohet me partneritetin strategjik me Vatikanin. Shenjtërisë së tij, Papa Françeskut i shpreha përkushtimin e qytetarëve tanë, që vlerat shpirtërore dhe demokratike t’i ruajmë e kultivojmë, në frymën e për të mirën përbashkët”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj thuhet në komunikatë t’i ketë përcjell Atit të Shenjtë një letër - kërkesë, për pranimin, njohjen dhe për kujdesin ndaj Kosovës.

“Më bëri përshtypje se Ati i Shenjtë, Papa Françesku ishte vërtetë njerëzor, me ngrohtësi të jashtëzakonshme, tha se "E kam në zemër popullin e Kosovës"”, tha Haradinaj.

Takimi me Papa Francesku u bë në rezidencën e Atit të Shenjtë, në Vatikan në audiencë të mbyllur, në kuadër të vizitës zyrtare të kryeministrit Haradinaj në Vatikan, e cila ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit strategjik dhe njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

XS
SM
MD
LG