Ndërlidhjet

SHBA dënon Sirinë për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë J.


Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit,  Heather Nauert.

Shtetet e Bashkuara e dënuan vendimin e Sirisë për të njohur dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha përmes një deklarate se SHBA-ja "e dënon fuqishëm synimin e regjimit sirian për të krijuar marrëdhënie diplomatike me rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, të pushtuara nga Rusia".

"Këto rajone janë pjesë e Gjeorgjisë", tha Nauert.

"Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi Abkhazinë dhe Osetinë Jugore është i palëkundur", shtoi ajo.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Gjeorgjia ka thënë se do t'i reduktojë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, pas vendimit të Damaskut për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si vende të pavarura.

Bashkimi Evropian po ashtu e dënoi veprimin e Sirisë, duke thënë se "shkel ligjin ndërkombëtar".

Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë rajone separatiste, të mbështetura nga Rusia, që kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia.

Rusia i ka njohur ato si shtete të pavarura pas një lufte pesëditore me Gjeorgjinë në vitin 2008.

Venezuela, Nikaragua dhe ishulli Nauru i Paqësorit e kanë njohur po ashtu pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

XS
SM
MD
LG