Ndërlidhjet

Në Beograd nis festivali “Mirëdita, dobar dan!”


Qendra për dekontaminim kulturor në Beograd
Qendra për dekontaminim kulturor në Beograd

Në Qendrën për dekontaminimin kulturor në Beograd, të mërkurën në mbrëmje, ka nisur edicioni i pestë i festivalit të kulturës së Kosovës, “Mirëdita, dobar dan!”.

Për sigurinë e pjesëmarrësve dhe mysafirëve të natës së parë të këtij festivali po kujdesen forca të shtuara të Policisë së Serbisë, të cilat i kanë penguar demonstruesit e Partisë Radikale Serbe dhe simpatizuesit e kësaj partie, që të arrijnë te hapësira ku po mbahet manifestimi, në rrugën “Birçanin”, në qendër të kryeqytetit serb.

Rreth dy orë para se të niste festivali, në afërsi të Qendrës për dekontaminimin kulturor, është mbajtur protestë e organizuar nga Partia Radikale Serbe, e të dënuarit të Hagës, Vojisllav Sheshelj, për të kundërshtuar mbajtjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

Në protestë ka marrë pjesë edhe vet Sheshelj, i cili i ka quajtur tradhtarë organizatorët e festivalit, për shkak se i kanë ftuar shqiptarët mysafir.

Ai, i ka fyer pjesëtarët e Iniciativës së të rinjve për të drejtat e njeriut, që kanë organizuar festivalin, duke thënë se “për tradhtarët e tillë nuk do të ketë vend në Beograd”.

Më herët, gjatë ditës së mërkurë, policia serbe i ka bastisur artistët shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin nisur për në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”.

Artistes nga Kosova, Eliza Hoxha, nuk i është lejuar që të bartë me vete tri fotografi me flamujt e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe një pano, mbi të cilin dukej mbishkrimi UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), të cilat ishin punime që është dashur të jenë pjesë e ekspozitës në Beograd. Punimet janë lënë në kufi.

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka dënuar ndalimin dhe bastisjen e artistëve të Kosovës nga policia serbe në kufirin Kosovë - Serbi.

Veprimin e policisë serbe, kryeministri Haradinaj, e ka cilësuar si akt, i cili e shembë mundësinë e vogël të vendosjes së komunikimit normal të Serbisë me Kosovën.

Në edicionin e vitit të kaluar të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ishin shënuar disa incidente. Atë kohë, udhëtimin e paralajmëruar për të marrë pjesë si mysafire në këtë festival, e kishte anuluar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, për shkak se, siç pati sqaruar, pushteti në Beograd nuk i kishte ofruar siguri.

XS
SM
MD
LG