Ndërlidhjet

Hoti: LDK e merr përsipër dialogun pasi ta fitojë mandatin nga qytetarët


Avdullah Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kritikuar platformën e Qeverisë për bisedimet me Serbinë. Kjo parti opozitare ka shprehur gatishmërinë e saj që të përfshihet në dialogun me Serbinë, por vetëm nëse do të ishte në krye të Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës ka hequr dorë nga dialogu me Serbinë”, tha Hoti, duke rikujtuar se platforma e prezantuar, ia njeh rolin udhëheqës presidentit të shtetit, i cili tash për tash nga LDK po shihet si i papërshtatshëm për t’i prirë procesit final të bisedimeve me Serbinë.

“Ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër këto procese, por vetëm pasi ta marrim mandatin nga qytetarët e këtij vendi”, theksoi Hoti, gjatë konferencës së rregullt të Grupit Parlamentar të LDK-së.

Sipas Hotit, në platformën e prezantuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë, krijohet përshtypja që fajtore për luftën e fundit ishte Kosova dhe jo Serbia.

Sidoqoftë, Hoti ka thënë se vlerësimet dhe pozicionin e LDK-së, kjo parti politike do ta paraqes në Kuvendin e Kosovës kur të hapet debati rreth platformës së prezantuar nga Qeveria për bisedimet me Serbinë.

Hoti tha po ashtu se“qeveria është e shpartalluar dhe e ndarë në disa pjesë”, si dhe në politikën e jashtme Kosova është krejtësisht në defensivë dhe se nuk bëhet fjalë për njohje të reja të shtetit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG