Ndërlidhjet

Përkujtohen ushtarët e NATO-s që humbën jetën në Kosovë


Pamje nga zbulimi i memorialit për ushtarët e KFOR-it që kanë humbur jetën në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në NATO si dhe daljen në ndihmë secilit që ka nevojë.

Këto deklarata Haradinaj i ka bërë pas zbulimit të memorialit për ushtarët e KFOR-it që kanë humbur jetën në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj atyre që dhanë jetën për të siguruar paqe dhe stabilitet në këtë vend.

“Kosova synon anëtarësimin në NATO për të ndihmuar jo vetëm veten dhe rajonin, por këdo që ka nevojë. Kosova është e gatshme që të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë. Ky memorial është një shenjë për këtë”, ka thënë Haradinaj.

Memorial për ushtarët e KFOR-it
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

Zëvendësi i Ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, në emër të Sekretarit të Përgjithshëm, ka falënderuar popullin e Kosovës, për ndërtimin e këtij memoriali në qendër të Prishtinës.

“Siç e dini NATO ka udhëhequr misione paqeruajtëse që nga qershori 1999, pothuajse 19 vjet. KFOR-i ka dëshmuar efektivitetin e vet dhe është bërë organizata më e besueshme në Kosovë”, ka thënë Manza, duke shtuar se e ardhmja e Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike.

Gjenerali i KFOR-it, Salvatore Cuoci në ceremoninë e zbulimit të pllakatës së 157 ushtarëve të KFOR-it, që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se institucionet e këtij vendi po i nderojnë ushtarët e KFOR-it, duke u ndërtuar një memorial që shërben si kujtesë e përhershme e atyre që u flijuan për Kosovën.

“Sot institucionet e Kosovës nderojnë ushtarët e KFOR-it. Respekti për këta ushtarë të rënë tregon se kontributi i tyre çmohet lartë. Përvoja më e hidhur për komandantin është humbja e një ushtari. Falënderoj familjarët për prezencën e tyre këtu sepse kjo do të thotë shumë”, ka thënë Cuoci.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se 12 qershori do të mbetet në historinë e Kosovës si dita e shpresës dhe dita kur vendit i është ofruar bindja se nuk është vetë.

“U bënë 19 vjet nga koha kur NATO udhëhoqi operacionin, operacion ky qe ktheu shpresën për liri dhe siguri. Së bashku Kosova dhe NATO kanë të arritje të shumta dhe mund të krenohemi me të arriturat tona të përbashkëta”, ka thënë Berisha.

Memoriali është ngritur në shenjë respekti për ushtarët e KFOR-it që kanë vdekur nga viti 1999, kur NATO hyri në Kosovë.

Rreth 160 ushtarë të vendeve anëtare dhe jo anëtare të NATO-s kanë vdekur në 19 vjetët e fundit, kryesisht në aksidente.

XS
SM
MD
LG