Ndërlidhjet

SHBA do të "sfidojë" përkushtimin e K.Veriore pas mbajtjes së samitit


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, gjatë takimit në Singapor.

Shtetet e Bashkuara do t'i prezantojnë shumë shpejt "kërkesat specifike" që kanë për Korenë Veriore, pas mbajtjes së samitit historik në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit verikorean, Kim Jong Un, ka thënë një zyrtar amerikan.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, zyrtari është deklaruar para një grupi të vogël të gazetarëve, pak para nisjes në një udhëtim në Azi, së bashku me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Jim Mattis.

Ai nuk i ka bërë të ditura detajet, mirëpo ka thënë se kërkesat dhe koha e dhënë do të përcaktojnë nivelin e përkushtimit të Phenjanit.

"Do ta kuptojmë shumë shpejt nëse ata do të veprojnë me qëllim të mirë apo jo", ka thënë zyrtari në kushte anonimiteti.

"Do të ketë kërkesa specifike dhe kohë të caktuar kur të prezantojmë para verikoreanëve konceptin tonë të zbatimit të marrëveshjes që është arritur në samit".

Në samitin e mbajtur në Singapor, i pari në mes të një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri verikorean, Kim ka treguar gatishmëri për të punuar drejt denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean, derisa Trump ka thënë se do të ndalojë stërvitjet ushtarake SHBA-Kore Jugore, të cilat i ka cilësuar "lojëra lufte".

XS
SM
MD
LG