Ndërlidhjet

Ushtria siriane avancon në juperëndim të shtetit


Territor sirian, foto ilustruese.
Territor sirian, foto ilustruese.

Ushtria siriane ka pushtuar një pjesë të madhe të territorit nga rebelët në jugperëndim të Sirisë, ka raportuar media shtetërore siriane dhe Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke shënuar avancimin e parë masiv të forcave qeveritare në ofensivën afër kufirit me Jordaninë.

Në po të njëjtën kohë, dy raketa izraelite kanë goditur zonën afër aeroportit të Damaskut, ka raportuar agjencia e lajmeve Sana.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite nuk ka pranuar të komentojë këto raporte.

Sana ka njoftuar se sulmet me raketa afër aeroportit të Damaskut kanë qenë shenjë e mbështetjes së Izraelit për rebelët në jugperëndim të shtetit.

Sana dhe media tjera të udhëhequra nga aleati i Damaskut, Hezbollah kanë thënë se ushtria siriane ka marrë kontrollin e qytetit Busra al-Harir, afër zonës Laja.

Rajoni jugperëndimor i Sirisë është zonë strategjike tejet e ndjeshme për shkak të afërsisë me Jordaninë dhe Lartësitë Golan, të pushtuara nga Izraeli.

Shtetet e Bashkuara dhe aleati më i fuqishëm i presidentit sirian, Bashar al-Assad, Rusia janë pajtuar vitin e kaluar për armëpushim në këtë zonë, që ka ndihmuar në kontrollimin e dhunës atje.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht Assadin kundër shkeljes së armëpushimit, duke thënë se një gjë e tillë do të nxiste “masa të ashpra dhe adekuate”.

XS
SM
MD
LG