Ndërlidhjet

Italia arrin marrëveshje me Maltën për një anije me migrantë


Disa migrantë në anijen e organizatës joqeveritare gjermane, Misioni për Shpëtim.

Italia ka thënë se ka arritur marrëveshje me Maltën për t’i dhënë fund dilemës së anijes së shpëtimit, Lifeline që është bllokuar për pesë ditë me 230 migrantë në bord.

Anija do të ankorohet në Maltë, mirëpo Italia dhe disa shtete të BE-së do të ndihmojnë në pranimin e migrantëve, ka thënë kryeministri italian, Giuseppe Conte.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini e pati cilësuar anijen të “paligjshme” para se të bëhej e ditur marrëveshja me Maltën.

Organizata bamirëse gjermane, Misioni për Shpëtim, ka thënë përmes një njoftimi në Twitter se janë duke u përkeqësuar kushtet në anije.

Ndërkohë, një anije daneze ka marrë 108 imigrantë nga një breg i Italisë.

Mosmarrëveshjet për anijen Lifeline kanë ndodhur pas debatit për anijen Aquarius, pasi e fundit është pranuar në portin spanjoll të Valencias javën e kaluar, sepse ishte bllokuar nga Italia dhe Malta.

Qeveria e re populliste italiane ka mbyllur portet për anijet shpëtuese, të cilat drejtohen nga organizata bamirëse në Mesdhe, duke thënë se partnerët e BE-së duhet të kujdesen po ashtu për migrantët që vijnë nga bregu i Libisë.

Liderët e BE-së do të përballen me negociata të ashpra në lidhje me krizën e migrantëve në samitin e Brukselit, që mbahet të enjten.

XS
SM
MD
LG