Ndërlidhjet

Koalicioni arab vendos parakushte për paqe në Jemen


Ilustrim.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë të martën se koalicioni arab që po lufton rebelët huthi në Jemen është duke bashkëpunuar me të dërguarin special të Kombeve të Bashkuara, Marthin Griffiths për të ndalur luftimet, transmeton Reuters.

Sipas Emirateve, rebelët huthi duhet të largohen nga porti Hodeidah nëse dëshirojnë të bisedojnë për ndonjë marrëveshje të paqes.

Griffiths ka vizituar të mërkurën qytetin jugor Aden, për të biseduar me presidentin, Abd-Rabbu Mansour Hadi në kryeqytetin e përkohshëm të qeverisë, pasi ka zhvilluar negociata të ngjashme me rebelët huthi në Sanaa javën e kaluar.

OKB-ja është duke kërkuar ndonjë pikë kthese në konfliktin trevjeçar, i cili ka lënë të vdekur më shumë se 10,000 persona dhe ka shkaktuar krizën më të rëndë humanitare.

Rebelët huthi kontrollojnë kryeqytetin dhe zonat më të populluara në Jemen.

Aleanca e udhëhequr nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka nisur luftimet në Jemen nga viti 2015, në tentim të kthimit të qeverisë së Hadit.

Kjo aleancë akuzon rebelët huthi se kanë lidhje me Iranin, mirëpo ata kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ky koalicion ka nisur sulmin më të madh këtë muaj në portin Hodeidah dhe ka pushtuar aeroportin javën e kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësime se kriza humanitare mund të përkeqësohet nga luftimet afër portit, duke pamundësuar hyrjen e ndihmave në këtë shtet.

XS
SM
MD
LG