Ndërlidhjet

Pensionohet gjykatësi i Gjykatës Supreme në SHBA


Gjykatësi i Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Anthony Kennedy.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Anthony Kennedy, do të pensionohet, duke i dhënë mundësinë presidentit Donald Trump të çimentojë shumicën konservatore në gjykatën e lartë.

Në letrën drejtuar Trumpit, Kennedy, 81 vjeç, shprehu “mirënjohje të thellë” për shërbimin në këtë institucion.

Kennedy, gjykatësi i dytë më i vjetër në mesin e nëntë anëtarëve të Gjykatës Supreme, tha se do të pensionohet më 31 korrik.

Gjykata Supreme ka rol kyç në jetën amerikane dhe shpesh ka fjalën e fundit në ligjet e diskutueshme dhe mosmarrëveshjet midis shteteve dhe qeverisë federale.

Në vitet e fundit, për shembull, ajo ka lejuar martesat e homoseksualëve në të 50 shtetet e SHBA-së, ka ndaluar disa urdhra të ish-presidentit Barack Obama për migrimin dhe ka vonuar një plan të SHBA-së për të zvogëluar emetimet e karbonit.

Këtë javë, Gjykata Supreme mbështeti një urdhër të presidentit Trump, i cili u ndalon hyrjen në SHBA qytetarëve të disa vendeve me shumicë myslimane.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, republikan, tha se votimi i të emëruarit të presidentit Trump për zëvendësimin e gjykatësit Kennedy, do të mbahet në vjeshtë.

Gjykata përbëhet prej nëntë gjykatësish dhe konservatorët mbajnë balancën e pushtetit në këtë institucion.

XS
SM
MD
LG