Ndërlidhjet

Tahiri: Rritja e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, investim për një gjyqësor efikas


Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndikon në shtimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Krahas bazës ligjore dhe pavarësisë së plotë për të mbrojtur ligjshmërinë mbi të cilën zhvillohet një shtet bashkëkohorë, tani e tutje gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të kenë pagat më të dinjitetshme në rajon. Natyrisht kjo rrit edhe pritjet tona për shtim të efikasitetit në angazhimin e tyre për zbatimin e mirëfilltë të ligjit, luftën e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe qasjen në drejtësi kuptimplote dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.

Ministri Tahiri thotë se rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të shihet si investim “drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një gjyqësor efikas, të pavarur dhe llogaridhënës”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të rrisë pagat për kabinetin qeverisës. Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Vendimi për rritjen e pagave për Qeverinë ishte pezulluar për një kohë dhe lënda ishte dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Por, më 11 qershor, Kushtetuesja doli me interpretimin se vendimi për rritjen e pagave nuk ishte jokushtetues.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Haradinaj ishte shprehur se nga kjo rritje përfitojnë më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët.

"A e dini sa i vogël është numri i pushtetarëve që përfitojnë nga rritja e pagave? Këtu përfitojnë direkt 600 gjyqtarë dhe prokurorë. Pra, mos harroni, sot fitues janë ata. Edhe ne po flasim për rend dhe ligj, po hartojmë ligje të mira. Sot u ka shkuar përkrahja më e fuqishme institucioneve të zbatimit të ligjit, në këtë rast nga sot 600 gjyqtarë dhe prokurorë i kanë pagat me ngritje”, kishte deklaruar Haradinaj gjatë një mbledhje të Qeverisë.

XS
SM
MD
LG