Ndërlidhjet

SHBA: Mijëra persona protestuan në mbështetje të imigrantëve


Protesta në SHBA. 30 qershor, 2018.

Mijëra persona kanë protestuar në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe në qytete të tjera, kundër politikave të migrimit të presidentit, Donald Trump, përfshirë edhe politikën për ndarjen e familjeve.

Në sheshin që gjendet përball Shtëpisë së Bardhë, protestuesit brohoritën “Turp, Turp”. Disa mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Ku janë fëmijët” dhe “Ne jemi Amerika”.

Administrata Trump ka zbatuar politikën “zero tolerancë”, që bën thirrje për ndalimin e migrantëve të cilët hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Por, kjo politikë ka rezultuar në ndarjen e prindërve nga fëmijët e tyre. Trump më vonë ka tërhequr politikën e ndarjes, teksa Kongresi po tenton që të kalojë reformën për migrantët.

Ndalimi i hyrjeve ilegale në SHBA ishte temë qendrore e fushatës presidenciale të Trumpit.

Presidenti Trump ka mbrojtur politikat e tij, duke thënë se ai po tenton që të zbatojë ligjet amerikane, duke tërhequr paralele mes krimeve të dhunshme dhe migrimit.

XS
SM
MD
LG