Ndërlidhjet

Udhëheqësit e institucioneve kujtojnë Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut


Prishtinë

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e vlerësuan lart Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990, duke e cilësuar atë si një akt konstitucional për realizimin e aspiratave të popullit për shtetësinë e Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në rrjetin social Facebook, tha se delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës përmes kësaj Deklarate artikuluan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur.

“Sot u bënë 28 vjet nga shpallja e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, 1990, e cila ishte një akt konstitucional për realizimin e aspiratave të popullit tonë për shtetësinë e Kosovës".

"Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, me guxim, maturi dhe pjekuri politike e artikuluan vullnetin e qytetarëve, i cili çoi drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Pas shumë zhvillimeve historike, Kosova më në fund realizoi projekte të mëdha politike: çlirimin, tranzicionin dhe pavarësinë”, shkroi Thaçi.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti në një takim disa nga delegatët e Kuvendit të Kosovës, nënshkrues të deklaratës.

“Akti juaj madhor u parapriu proceseve të tjera të rëndësishme në vitet në vijim, rezistencës paqësore dhe luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kulmoi me çlirimin e Kosovës dhe vite më vonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, tha Veseli.

Në anën tjetër, udhëheqësi i delegacionit të delegatëve të Kuvendit që shpalli Deklaratën e 2 Korrikut , Iljaz Ramajli, tha se ky takim me kryetarin e Kuvendit të tashëm të Kosovës paraqet një mesazh për përkujdesjen dhe vlerësimin e kontributit të brezave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.​

Pavarësisht represionit të asaj kohe të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës i asaj kohe kishte shpallur Deklaratën Kushtetuese që e definonte Kosovën republikë.

Kjo ditë e cilësuar si historike, rikujtohet çdo vit nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG