Ndërlidhjet

Pakistani nis hetim penal kundër liderëve të partisë së ish-kryeministrit të burgosur


Pamje nga protestat ku është kundërshtuar dënimi i Nawaz Sharif me burgim.

Autoritetet pakistaneze kanë nisur një hetim penal kundër liderëve të partisë politike të ish-kryeministrit të burgosur Nawaz Sharif, sipas ligjit kundër-terrrorizëm, 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në Pakistan, transmeton Reuters.

Rasti lidhet me një marsh të zhvilluar nga Liga Myslimane e Pakistanit më 13 korrik, ditën kur është kthyer Sharif në Pakistan, duke shkelur kështu një urdhër për mosmbajtje të marsheve publike të premten.

Ish-kryeministri është arrestuar disa minuta pasi ka arritur në këtë shtet, meqë është dënuar në mungesë nga një gjykatë kundër korrupsionit më 6 korrik.

Në dokumentet e autoriteteve të këtij shteti është bërë e ditur se hetimet kanë nisur kundër vëllait të ish-kryeministrit Sharif, Shehbaz Sharif dhe një numri të figurave kyçe të partisë.

Autoritetet kanë cituar nenin 7 të ligjit kundër-terrorizëm, i cili përfshin në terrorizëm, krijimin e frikës në publik dhe liston 10 shkelje tjera, duke përmendur edhe mbledhjet e paligjshme.

Sharif, i cili është larguar nga zyra me një urdhër të Gjykatës Supreme vitin e kaluar dhe është dënuar me 10 vjet burgim për korrupsion, pretendon se ushtria është duke i ndihmuar gjyqësorit, sistem të cilin e ka cilësuar “gjueti shtrigash” për të parandaluar fitoren e mandatit të dytë të partisë së tij.

XS
SM
MD
LG