Ndërlidhjet

VV kërkon të hetohet ndarja e 53 milionë eurove për autostradën


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga organet e drejtësisë që të nisin hetime lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, gjatë një konference për media, tha se, më 12 korrik, kur Kuvendi nuk e miratoi një rezolutë të propozuar nga subjekti i tij, lidhur me këtë çështje, ka dëgjuar fjalë se kontrata për dhënien e 53 milionë eurove shtesë nuk është lidhur ende.

Andaj, ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të nisin hetimet dhe, siç u shpreh ai, “ta marrin situatën në dorë”.

“Në rast se deri më tani nuk është nënshkruar kontratë në lidhje me këtë vendim, që është vendim i jashtëligjshëm i Qeverisë, atëherë organet e drejtësisë duhet të veprojnë dhe t'i sjellin para drejtësisë fajëtorët lidhur me këtë vendim dhe këtë kontratë”, u shpreh deputeti Aliu.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka ndarë 53,1 milionë euro për kompaninë “Bechtel & Enka” për punimet në autostradën Prishtinë - Hani i Elezit, për shkak të, siç është thënë, dështimit të qeverisë së mëparshme për t’i paguar me rregull faturat.

Për këtë çështje, ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është ftuar edhe në një interpelancë në Kuvend.

Ai ka thënë se me ndarjen e këtyre mjeteve, janë shmangur proceset gjyqësore.

XS
SM
MD
LG