Ndërlidhjet

Ish-kryeministri i Pakistanit e apelon dënimin me burgim


Nawaz Sharif

Ish-kryeministri i burgosur i Pakistanit, Nawaz Sharif, e apeloi dënimin e tij me dhjetë vjet burgim, vetëm pak ditë pas rikthimit në këtë vend.

Sharif dhe vajza e tij, Maryam, u dënuan në mungesë nën akuzat për korrupsion, më 6 korrik.

Të dy u arrestuan pasi arritën në qytetin Lahore, më 13 korrik.

Nëse gjyqtari e pranon apelin, Sharif mund të lirohet me kusht në pritje të gjykimit të tij.

Maryam Aurangzeb, zëdhënëse e partisë së Sharifit, Liga Myslimane e Pakistanit, tha se apeli u dorëzua në Gjykatën e Lartë në Islamabad.

Avokati i Sharifit, Khawaja Haris Ahmad, tha në apel se "dënimi nuk bazohet në prova".

Sharif, të cilin Gjykata Supreme e Pakistanit e ka përmbysur nga posti i kryeministrit korrikun e kaluar, është dënuar me dhjetë vjet burgim, për shkak të blerjes së apartamenteve luksoze në Londër.

Vajza e tij është dënuar me shtatë vjet burgim për një rast që ka dalë nga Letrat e Panamasë në vitin 2016.

XS
SM
MD
LG