Ndërlidhjet

Tre persona vdesin në një aksident, Qeveria bën apel për kujdes në trafik


Ilustrim

Tre persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku që ndodhi pasditen e sotme në Gllarevë të Pejës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetas të Kosovës, një e gjinisë femrore dhe dy të gjinisë mashkullore, një prej të cilëve kanë humbur jetën në vend të ngjarjes, viktima e dytë ka ndërruar jetë rrugës për në ambulanten e Klinës, kurse viktima e tretë pasi që kishte lëndime të rënda trupore është dërguar me autoambulancë në QKUK Prishtinë, por i njëjti ka arritur pa shenja jete. Vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor", thuhet në njoftimin e Policisë, duke shtuar se edhe tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime.

Sipas Policisë, nga të dhënat paraprake dyshohet një veturë e tipit Pasat ka goditur një autobus, dhe më pas është përplasur edhe me një veturë të tipit Jaguar.

Pas njoftimit për këtë aksident me fatalitet ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke iu bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik për kujdes të shtuar, ndërkaq autoriteteve që të ndërmarrin hapat e nevojshme që të shtojnë masat e sigurisë në komunikacion.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e shqetësuar me aksidentet e fundit në komunikacion të cilat po përfundojnë me humbjen e jetës së qytetarëve. Qeveria u bën apel të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes dhe të jenë vigjilent në respektimin e rregullave të komunikacionit, në mënyrë që të evitohen aksidentet të cilat po përfundojnë me fatalitet”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

XS
SM
MD
LG