Ndërlidhjet

Beograd: Vritet avokati që mbrojti Millosheviqin


llustrim
llustrim

Është qëlluar për vdekje në Beograd një avokat që dikur ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq gjatë gjykimit të këtij të fundit për krime lufte.

Dragoslav Ognjanoviq, 57-vjeç, është vrarë jashtë ndërtesës ku jetonte në Beograd në orët e vona të 28 korrikut, ka njoftuar Ministria e Brendshme serbe.

Kjo Ministri, përmes një deklarate, ka thënë se edhe djali 26-vjeçar i avokatit Ognjanoviq, është plagosur me armë zjarri në krahë.

Policia ende është duke kërkuar për sulmuesin dhe nuk ka informacione për motivin e këtij sulmi.

Ognjanoviq kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Millosheviqit gjatë gjykimit të tij në Tribunalin për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Ish-presidenti serb ishte arrestuar më 2001 dhe ishte dërguar për gjykim në Hagë, nën akuzat për gjenocid dhe krime të tjera të kryera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90-ta.

Por, Millosheviq vdiq përpara se të shpallej një vendim nga gjykata në Hagë.

Ognjanoviq ka qenë avokat në një numër të madh të rasteve të profilit të lartë të mafias në Serbi dhe Mal të Zi.

Disa pjesëtarë të njohur të rrjeteve kriminale serbe dhe malazeze janë vrarë në Beograd vitet e fundit.

Policia i ka përshkruar këto vrasje si pjesë e një lufte bandash mbi tregun e paligjshëm të drogës.

Në një deklaratë të përbashkët, të Shoqatës së Avokatëve të Serbisë dhe Shoqatës së Avokatëve të Beogradit, thuhet se vrasja e Ognjanoviq është “e fundit në serinë e sulmeve ndaj avokatëve”.

“Ne do të ushtrojmë presion maksimal karshi autoriteteve kompetente shtetërore për të gjetur autorët e këtij krimi sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në deklaratë.

XS
SM
MD
LG