Ndërlidhjet

Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi


Pamje nga shkatërrimet në ishullin Lombok që u godit nga tërmeti prej 6,4 shkallësh të Rihterit.

Të paktën 14 persona kanë vdekur dhe mbi 160 të tjerë janë lënduar, pasi një tërmet i fuqishëm goditi një ishull turistik në Indonezi, njoftuan zyrtarët. Fillimisht, zyrtarët indonezianë kishin konfirmuar se dhjetë persona kanë humbur jetën nga tërmeti.

Mijëra shtëpi po ashtu janë dëmtuar pasi tërmeti prej 6,4 shkallësh të Rihterit goditi ishullin Lombok, ka thënë Sutopo Purwo Naugroho, zëdhënës i agjencisë kombëtare për katastrofa.

Një shtetas i Malajzisë është në mesin e viktimave, ka thënë Ministria e Jashtme e Majalzisë.

Tërmeti i fuqishëm është pasuar nga disa tërmete më të vegjël.

Ishulli Lombok për çdo vit vizitohet nga turistë të shumtë nga e mbarë bota dhe gjendet rreth 40 kilometra në lindje të ishullit Bali.

Indonezia, që është arqipelagu më i madh në botë, shpesh goditet nga tërmetet, pasi gjendet në të ashtuquajturën “Unazë të Zjarrit”, një hark vullkanesh që gjenden në Rripin e Paqësorit.

Në dhjetorin e vitit 2004, një tërmet i fuqishëm nënujor, kishte goditur brigjet e Sumatrës, në perëndim të Indonezisë, që shkaktoi në cunami të madh, ku u vranë mbi 220 mijë njerës në dhjetra shtete në Oqeanin Indian.

XS
SM
MD
LG