Ndërlidhjet

SHBA u vë sanksione dy ministrave turq


Burgu në Izmir të Turqisë, ku ndodhet pastori amerikan, Andrew Brunson.

Shtetet e Bashkuara vunë sanksione kundër dy ministrave turq, për shkak të mbajtjes në burg të një pastori.

Pastori i krishterë, Andrew Brunson, 50 vjeç, është arrestuar qysh në vitin 2016, nën akuzat për terrorizëm.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar disa herë Turqinë me sanksione, nëse nuk e liron pastorin, të cilin ai e ka cilësuar si "njeri të pafajshëm".

Sanksionet goditën ministrin turk të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, dhe ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu, të cilin Shtëpia e Bardhë e akuzoi për "rol udhëheqës" në arrestimin e Brunsonit dhe për "abuzime serioze me të drejtat e njeriut në Turqi".

Sanksionet ngrijnë çdo pronë në SHBA që i përket Gulit dhe Soylut dhe i ndalojnë individët amerikanë të bëjnë biznes me ta.

Gul shkroi në Twitter se "nuk ka asnjë qindarkë as në SHBA, as në ndonjë vend tjetër jashtë Turqisë".

Ministria e Jashtme e Turqisë e akuzoi Uashingtonin për "ndërhyrje pa respekt në sistemin e drejtësisë" dhe tha se "do të hakmerret pa vonesa".

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka sugjeruar se Brunson mund të shkëmbehet me Fethullah Gulenin, një klerik fetar që jeton në mërgim në SHBA.

Ankaraja e fajëson Gulenin për orkestrimin e një përpjekjeje për puç në Turqi në korrik të vitit 2016.

Uashingtoni thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për të ekstraduar Gulenin.

XS
SM
MD
LG