Ndërlidhjet

Dorëzohen 82 kallëzime penale për krime lufte në Kosovë


Një pjesëtar i FSK-së qëndron pranë një memoriali në Reçak. Fotografi nga arkivi
Një pjesëtar i FSK-së qëndron pranë një memoriali në Reçak. Fotografi nga arkivi

Përfaqësuesit e Grupit të Shoqërisë Civile për grumbullimin e dëshmive për krime lufte, kanë dorëzuar sot 82 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në Departamentin për Krime të Rënda.

Kryetarja e këtij grupi, Mevlyde Mezini-Saraqi tha se ky është kontingjenti i gjashtë me kallëzime penale që u dorëzohet institucioneve të drejtësisë.

“Sot e dorëzuam kontingjentin e gjashtë, që përbëhet prej 82 kallëzimeve penale, kundër kriminelëve serbë të cilët kanë kryer krime lufte kundër popullatës së Gjakovës. Këto kallëzime penale janë të përmbushura me dëshmi, me fotografi, me fakte, me deklarata, me shkrime dhe dokumente përcjellëse”, tha Mezini-Saraqi.

Mezini-Saraqi shtoi se shpreson që kësaj radhe, institucionet e vendit do të merren me këto dëshmi të ofruara dhe këto dokumente të mos mbeten, siç u shpreh ajo, “në sirtarë”.

“Shpresojmë që kësaj radhe kallëzimet penale nuk do të mbesin nëpër sirtarë, siç ka ndodhur më parë në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it, por shumë besojmë në shtetin e Kosovës, në drejtësinë e pavarur e cila e ka për obligim që t’i kryejë të gjitha rastet me nderë dhe kriminelët e vërtetë të dënohen”, tha ajo.

Ka qenë fillimisht administrata e Kombeve të Bashkuara- UNMIK që është marrë me rastet e krimeve të luftës në Kosovë. Më pas, me këto raste është marrë misioni i Bashkimit Evropian për sundimit të ligjit – EULEX.

Nga 30 qershori, EULEX-i ka transferuar kompetencat tek institucionet përgjegjëse të Kosovës.

XS
SM
MD
LG