Ndërlidhjet

Rebelët huthi në Jemen mirëpresin hetimin e OKB-së për sulmet ajrore


Pamje nga sulmi i së enjtes në Jemen.
Pamje nga sulmi i së enjtes në Jemen.

Grupi i rebelëve huthi në Jemen ka mirëpritur të premten një thirrje të Kombeve të Bashkuara për hetim të pavarur të sulmeve ajrore, të koalicionit të udhëhequr nga sauditët që ka lënë të vdekur dhjetëra persona një ditë më parë, duke përfshirë disa fëmijë që kanë qenë duke udhëtuar me autobus.

“Ne mirëpresim thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”, ka thënë udhëheqësi i Komitetit revolucionar të rebelëve huthi, Mohammed Ali al-Houthi, përmes një postimi në Twitter.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka njoftuar të enjten se një sulm ajror ka goditur një autobus të mbushur me fëmijë teksa ishte duke udhëtuar nga një market drejt provincës Saada.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka dënuar sulmet dhe ka bërë thirrje për “hetim të pavarur” ka njoftuar zëdhënësi i tij.

Koalicioni, i cili mbështet Qeverinë e Jemenit në luftë kundër rebelëve huthi, ka akuzuar këta të fundit për përdorim të fëmijëve si mburoja teksa ka thënë se sulmet janë kryer në parim me ligjin ndërkombëtar humanitar.

Pothuajse 10,000 persona, dy të tretat e cilëve civilë, janë vrarë prej kur rebelët huthi kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe në veri të shtetit, duke përfshirë kryeqytetin Sanna më 2014, çka ka shtyrë presidentin, Abdrabbuh Mansour Hadi të jetojë në ekzil në Arabinë Saudite.

Një vit më vonë, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka ndërhyrë në konflikt.

XS
SM
MD
LG