Ndërlidhjet

Zarif: Nuk kemi planifikuar asnjë takim me zyrtarët e SHBA-së


Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif thotë se asnjë takim me zyrtarët amerikanë nuk është planifikuar, përfshirë këtu për një takim të mundshëm me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

I pyetur se nëse ka gjasa që një takim i tillë të ndodhë, posaçërisht në margjinat e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zarif i tha agjencisë së lajmeve Tasnim se “nuk është planifikuar një takim i tillë”.

Presidenti iranian, Hassan Rohani më 6 gusht ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara për bisedime pa parakushte, vetëm disa orë para se Uashingtoni të rivendoset sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.

Vendimi për rivendosjen e sanksioneve amerikane erdhi pasi presidenti Donald Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e Iranit e arritur më 2015.

“Sa i përket ofertës së fundit nga Trumpi, pozicioni ynë zyrtar është bërë i njohur nga presidenti Rohani. Amerikanëve u mungon sinqeriteti”, citohet të ketë thënë ministri Zarif.

Përmes një deklarate më 6 gusht, Trump kishte përsëritur qëndrimin e tij lidhur me marrëveshjen e vitit 2015, që i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor. Trump e ka cilësuar këtë marrëveshje si “të tmerrshme”.

Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja e vitit 2015 në maj të këtij viti, duke argumentuar se Irani nuk i është përmbajtur asaj.

XS
SM
MD
LG