Ndërlidhjet

Autoritetet ruse mohojnë se shëndeti i Sentsov është përkeqësuar


Regjisori ukrainas, Oleh Sentsov në qelinë e tij më 9 gusht, 2018.
Regjisori ukrainas, Oleh Sentsov në qelinë e tij më 9 gusht, 2018.

Shërbimi Federal i Burgjeve të Rusisë, ka mohuar se regjisori ukrainas, Oleh Sentsov, i cili është në grevë urie që tre muaj, ka humbur 30 kilogramë.

Në një deklaratë të cilën e ka cituar agjencia TASS, ky institucion ka thënë se “deri sot ne nuk kemi parë se Sentsov ka humbur peshë apo se i është përkeqësuar gjendja shëndetësore”.

Deklarata vjet një dit pas presidenti francez, Emmanuel Macron ngriti çështjen e gjendjes shëndetësore të Sentsov, gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Putin ka premtuar se “do të përgjigjet dhe shpejt do të publikojë detajet e shëndetit të Sentsovit”, ka njoftuar presidenca franceze.

Më 10 gusht, Bashkimi Evropian i bëri thirrje autoriteteve ruse që Sentsovin ta vendosin në një qendër mjekësore dhe t’i japin atij kujdesin e duhur shëndetësor.

Avokati i Sentsovit, Dmitry Dinze, ka thënë më 10 gusht se Sentsov “është gati të vdes”, pasi e kishte vizituar atë në burg më 7 gusht, duke thënë se klienti i tij ka humbur 30 kilogramë

Por, në deklaratën e sotme të lëshuar nga autoritetet ruse thuhet se komentet se Sentsov ka humbur 30 kilogramë “janë informacione që nuk përkojnë me realitetin”.

Sentsov, një kundërshtar i aneksimit të Krimesë nga Rusia, u dënua me 20 vjet burgim, pasi u gjet fajtor nga një gjykatë ruse më 2015, nën akuzat për konspiracion për të kryer akte terroriste, akuza të cilat, sipas grupeve për të drejtat e njeriut janë të motivuara politikisht.

Sentsov, 42-vjeç, që po vuan dënimin në një burd në rajonin Yamalo-Nenets, ka hyrë në grevë të urisë që prej mesit të majit dhe po kërkon që Rusia të lirojë 64 shtetas ukrainas, që ai i konsideron si të burgosur politik. Ai është zotuar se do të vazhdojë me këtë kërkesë deri në fund.

XS
SM
MD
LG