Ndërlidhjet

Ambasada amerikane dënon sulmin ndaj gazetarit serb të Bosnjës


Qindra gazetarë, mbështetës të opozitës dhe aktivistë kanë protestuar të hënën në qendër të Banja Llukës, pas sulmit ndaj gazetarit Vlladimir Kovaçeviq.
Qindra gazetarë, mbështetës të opozitës dhe aktivistë kanë protestuar të hënën në qendër të Banja Llukës, pas sulmit ndaj gazetarit Vlladimir Kovaçeviq.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe gazetarët në Bosnje shprehën zemërimin e tyre të hënën, një ditë pasi sulmues të panjohur plagosën rëndë një gazetar të një stacioni të pavarur televiziv të serbëve të Bosnjës.

Gazetari i BNTV-së, Vlladimir Kovaçeviq, u shtrua në spital pasi u sulmua nga dy persona të maskuar jashtë shtëpisë së tij në Banja Lluka

Kovaçeviq postoi një fotografi në Twitter duke treguar kokën e tij të gjakosur.

Ai tha se është sulmuar me shufra metalike teksa po kthehej në shtëpi, pas raportimit nga një tubim antiqeveritar.

"Kam bërë përpjekje të mbrohem dhe kam thirrur për ndihmë teksa më kanë goditur në kokë dhe trup", tha Kovaçeviq për BNTV-në.

BNTV është përballur me kritika nga autoritetet serbe të Bosnjës për shkak të politikave të pavarura editoriale.

Ambasada amerikane në Sarajevë shkroi në Twitter se sulmet ndaj gazetarëve janë "të papranueshme".

"Ne e mbrojmë fuqishëm të drejtën e gazetarëve për të raportuar lajme, pa frikë nga ndëshkimi. Kur gazetarët janë të heshtur, shoqëria vuan", tha ambasada.

Asociacioni i gazetarëve të Bosnjës tha se sulmi synon t'i frikësojë mediat e pavarura dhe e fajësoi udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për udhëheqjen e një fushate kundër mediave.

Dodik e vizitoi Kovaçeviqin në spital dhe tha se është i sigurt se autoritetet nuk qëndrojnë prapa sulmit.

Qindra gazetarë, mbështetës të opozitës dhe aktivistë kanë protestuar të hënën në qendër të Banja Llukës.

XS
SM
MD
LG