Ndërlidhjet

Një grup qytetarësh proteston në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë


Foto nga arkivi

Një grup qytetarësh protestoi në Gjakovë, në kundërshtim të vizitës së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse.

Protesta u mbajt edhe pse organizatorët kanë deklaruar për mediat serbe se vizita e pelegrinëve është anuluar, për shkaqe sigurie.

Komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk ka asnjë autobus me pelegrinë serbë që është nisur për në Gjakovë.

Protesta kundër pelegrinëve serbë është thirrur nga qytetarët e Gjakovës, kryesisht familjarë të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës së fundit.

“Pa drejtësi, nuk ka qetësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”, ishin disa nga parullat që këta qytetarë mbanin në duart e tyre.

Një ditë më parë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që sivjet t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës ta vizitojnë kishën.

Presidenti Thaçi e ka siguruar Kandiqin se do të angazhohet që liria e lëvizjes të garantohet për të gjithë, përfshirë edhe për ata pjesëtarë të komunitetit serb që duan të vizitojnë kishën apo shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova i ka kërkuar Thaçit të mos e lejojë vizitën e serbëve në kishën në Gjakovë.

Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar edhe sot në Facebook se ndjen dhe ndan dhembjen me të gjitha nënat kosovare për humbjen e më të dashurve të tyre.

“I siguroj ato dhe gjithë nënat kosovare, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë. Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë”, ka shkruar Thaçi.

XS
SM
MD
LG