Ndërlidhjet

Hoxha pret votim pozitiv për liberalizimin e vizave në Komitetin LIBE


Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, po qëndron në Bruksel, ku po mbahet takimi i Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, i njohur si LIBE.

Aty sot po diskutohet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndërkaq nesër pritet të votohet.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministrja Hoxha, sipas një komunikate për media, takoi eurodeputeten nga Sllovenia, Tanja Fajon, anëtare e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

“Në takim, ministrja Hoxha ka vënë në dukje plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim nga udhërrëfyesi si dhe pritjet për vendimet pozitive për liberalizimin e vizave, sidomos pritjet që Komisioni LIBE të votojë nesër pro liberalizimit”, theksohet në komunikatë.

“Fajon ishte me vite një përcjellëse besnike e të arriturave dhe interesave të Kosovës; edhe tash, mirëpresim kontributin e saj si raportuese në Parlamentin Evropian, duke rikonfirmuar të arriturat tona për liberalizimin e vizave, procesin integrues dhe lobimin për njohjen e shtetit dhe shtetësisë sonë në organizatat ndërkombëtare”, tha ministrja Hoxha.

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, sipas komunikatës, tha se është e lumtur që po rikonfirmohen të arriturat e Kosovës, se qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë lëvizjen e lirë ashtu si krejt qytetarët tjerë të Evropës.

Fajon tha se puna më e madhe mbetet për t’u bërë, që procesi integrues të vijojë me hapa edhe më të shpejtë, duke zbatuar reformat në drejtësi, në ekonomi dhe të tjera, si dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ministrja Hoxha takoi në Bruksel edhe eurodeputetet Marie Christine Vergat, Angelika Mlinar dhe eurodeputetin Asim Ademov, të gjithë anëtarë të Komisionit LIBE, nga të cilët thuhet se është rikonfirmuar mbështetja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG