Ndërlidhjet

Austria propozon ndihmë ushtarake të BE-së për kontrollime kufitare


Ilustrim.

Austria ka propozuar të enjten angazhimin e forcave të armatosura të Bashkimit Evropian për t’iu ndihmuar rojeve kufitare të bllokut për të ndalur migrantët pa dokumente.

Këto deklarata kanë ardhur teksa koalicioni i të djathës ekstreme në Austri është duke kërkuar masa më të ashpra të kontrollit në territorin e BE-së.

Ministri austriak i Mbrojtjes, Mario Kunasek ka vënë theks te plani i tij, gjatë një takimi me dyer të mbyllura në Vjenë, cili është bazuar në një praktikë të së kaluarës kur ushtarët janë dërguar në kufi.

Ai ka thënë se sipas planit, ushtarët do të duhej të ishin nën kontrollin e policisë.

“Ne duhet të mbojmë kufijtë tanë me efikasitet”, u ka thënë Kunasek gazetarëve pas takimit, duke thënë se ka pasur “diskutim pozitiv” për këtë propozim.

Disa qeveri në kuadër të BE-së kanë shprehur shqetësim, duke reflektuar ndasi në mes të shteteve anëtare rreth asaj se si të përballen me çështjen e migrimit.

Austria është e vendosur për të parandaluar përsëritjen e valës së migrantëve të vitit 2015, me ç’rast më shumë se 1 milion migrantë kanë arritur në Evropë nga Afrika Veriore dhe Lindja e Mesme.

Italia dhe Hungaria po ashtu kanë kundërshtuar ashpër politkën aktuale të BE-së për migrimin, duke urdhëruar mbylljen e shumicës së porteve prej nga mund të hyjnë migrantët.

Mirëpo Gjermania dhe Estonia kanë qenë në mesin e vendeve që e kanë trajtuar me dyshim planin e Austrisë.

“Ka pak rrugë, madje edhe në baza teorike se si mund të angazohet ushtria në zonat kufitare”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Juri Luik.

“Nëse nuk kemi konflikt ushtarak, gjithçka tjetër i mbetet policisë”, ka thënë ai për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Komisioni Evropoan ka propozuar rritjen e numrin të rojeve kufitare në BE, në 10,000 trupa, nga vetëm disa qindra sa janë tani, në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar duke filluar nga viti 2021.

XS
SM
MD
LG