Ndërlidhjet

I dërguari i OKB-së për Siri, "i gatshëm të niset drejt Idlibit"


Staffan de Mistura.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Siri, Staffan de Mistura ka deklaruar të enjten se do të udhëtonte në provincën Idlib për t’u siguruar se civilët mund të largohen përmes një korridori humanitar, pas shqetësimeve në rritje për nisje të një ofensive qeveritare me synim të zotërimit të rajonit të fundit të kontrolluar nga rebelët, transmeton AP.

“Unë jam i përgatitur, personalisht dhe fizikisht të përfshij veten, për t’u siguruar se një korridor i tillë i përkohshëm të sigurojë se civilët mund të kthehen në vendet e tyre sapo të përfundojë e gjithë kjo”, ka thënë Mistura para gazetarëve në Gjenevë.

Komentet e tij kanë ardhur pas shqetësimeve se Qeveria Siriane, e mbështetur nga aleatja e saj, Rusia është duke u mobilizuar për ofensivë ushtarake ashtu që të fitojë kontrollin e Idlibit.

Idlib, provincë siriane në kufi me Turqinë është e banuar me rreth 3 milionë banorë, gjysma e të cilëve janë rebelë dhe civilë që janë transferuar nga territoret tjera, të pushtuara nga trupat siriane.

Një operacion i madh ushtarak në Idlib mund të rezultojë me një katastrofë humanitare për shkak se në atë zonë nuk ka ndonjë territor të opozitës siriane, ku mund të evakuohen civilët.

“Nuk ka një tjetër Idlib”, ka thënë Mistura, duke theksuar se civilët duhet të sigurohen se mund të evakuohen në zonat e afërta që kontrollohen nga forca qeveritare, pa u cenuar të drejtat e tyre.

“Sinqerisht do të ishte ironi tragjike që pothuajse në fund të luftës brenda territorit të Sirisë, të jemi dëshmitarë të tragjedisë më të tmerrshme”, është shprehur ai.

XS
SM
MD
LG